domenica 29 marzo 2009

As lojë, as rezultat, kjo kombëtare nuk ngroh askënd

Shqipëri-Hungari 0-1
Shënues: Torgelle 39′

SHQIPËRIA: Hidi, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli, Lala, Skela, Lika (Bakaj 70’), Duro, Salihi, Berisha. Trajner Ari Han.

HUNGARIA: Babos, Vasko, Vanzcak, Bodor, Szelesi, Halmdosi (Gera 90’), Rudolf, Dardai, Torghelle, Husti, Hajzal. Trajner Ervin Koeman

Gjyqtarë: B.Kuipers, G.Patrick, A.Lobert (Holandë)
Kartonë të verdhë: Cana, Duro, Dallku / Vanzcak, Babosh, Halmdosi

Radiografia
1’- Topi i parë nga qendra e fushës shkelmohet nga Hungaria.
4’- Skela fut një top të bukur në zonën hungareze, ku Lala synon gjuajtjen, por portiere mik është më i shpejtë në dalje.
6’- Goditje dënimi për kuqezinjtë. Ekzekuton Skela, duke harkuar topin në zonën hungareze, por pa rrezik.
12’- Besart Berisha fut një top të bukur në zonën hungareze për Salihin, por ky i fundit nuk koordinohet si duhet, duke humbur një mundësi të mirë shënimi.
13’- Cana merr karton të verdhë dhe do të mungojë ndaj Danimarkës. Pas një ndërhyrje të gabuar ndaj hungarezit Torghelle, gjyqtari holandez nuk e fal.
14’- Krosim i miqve në zonën tonë, nga një godtje dënimi. Hidi bën një dalje të gabuar, Torghelle godet me kokë, por jashtë.
19’- Berisha kroson në zonën kundërshtare, ku gjendet Salihi, i cili zhytet me kokë, godet bukur, por topi kalon ngjitur me shtyllën pingule të portës hungareze.
30’- Hajzal ndërmerr një aksion personal, godet fort nga larg, por topi nuk i bindet vullnetit të tij, jashtë kuadratit
39’- Stadiumin kombëtar e mbulon heshtja. Hungaria ka shënuar. Torghelle, pas një gafe të Dallkut, i vetëm me portierin Hidi, gjuan fort dhe rezultati shkon në 0-1.
46’- Loja rinis nga mesi i fushës për tanët. Salihi e kthen topin tek Cana, I cili gabon, përfiton Torghelle, por hungarezi, i vetëm përballë Hidit, gjuan gabimisht, jashtë.
63’- Tjetër gabim në mbrojtjen kuqezi. Curri i dhuron një top Torghelles, i cili vërshon drejt Hidit. Portieri ynë ndërhyn, për një moment duket sikur kemi të bëjmë me 11-metërsh, por nuk është kështu.
69’- Kombëtarja kuqezi bën zëvendësimin e parë. Trajneri Ari Han hedh në fushë Bakajn, në vend të Gilman Likës.
73’ –Bakaj merr një top nga Skela, gjuan prirtazi drejt portës mike, topi grushtohet nga gardiani hungarez, prek edhe shtyllën e majtë pingule të tij, dhe përfundon jashtë.
75’ – Dallku duket i nervozuar, shkakton një ndëryrje të gabuar ndaj kundërshtarit dhe ndëshkohet me karton të verdhë. Ky është kartoni i tretë i verdhë për lojtarët tanë: Cana, Duro dhe Dallku.
80’- Kroson Bakaj nga krahu i majtë i sulmit kuqezi, topi gjen kokën e Berishës, që godet me kokë, por gjuajtja është qëndrore. Pa problem për portierin hungarez.
83’- Dallku ka marrë krahun e djathtë, ka future një top të rrezikshëm në zonën mike, ku shkaktohet një lëmsh para portës hungareze. Ndërhyn Vancszak, që eviton rrezikun.
90’+2 – Pas dy minutash shtesë, gjyqtari holandez, mjaft i kontestuar nga kuqezinjtë për vendimet e tij, vërshëllen për mbarimin e ndeshjes. Hungaria merr 3 pikë mjaft të cmuara kreu, ndërsa Shqipëria shënon zhgënjimin e radhës, pas Maltës. Tifozët e shumtë që kishin mbusbhur stadiumin “Qemal Stafa” largohen me kokën ulur.

Komenti

Jemi shfryrë sërish, pavarësisht se u kemi rënë tam-tameve të një fitoreje, që do të na mbante akoma të tendosur për ndeshjet në vazhdim, pavarësisht se kuqezinjtë dhe trajneri Ari Han kishin premtuar për të marrë 3 pikët ndaj Hungarisë, si autokritika më e mirë për atë zhgënjim të Maltë. Por, asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, përkundrazi, kombëtarja e ka ”trashur zullumin“ e saj, jo se është mundur, por sepse loja e saj ka qenë mjaft e shplarë. Hungaria mbetet për Shqipërinë “macja e zezë“, pasi nuk i ka shënuar dot asnjë gol në të gjitha ballafaqimet, nuk i ka marrë asaj asnjë fitore. Trajneri Han ka qëndruar “i ngrirë“ në stolin kuqezi, pasi patrioti i tij, gjqtari holandez, ka vërshëllyer plot tri herë për mbarimin e kësaj ndeshjeje. I ka ikur mundësia më e mirë e mundshme për të marrë një fitore në këto eliminatore, ndërkohë që pjesa e mbetur e kësaj faze kualifikuese për në Botërorin 2010 është një “ferr“ i vërtetë për të dhe kombëtaren shqiptare. Duke nisur nga data 1 prill, kur do të udhëtojë drejt Danimarkës, për t’u ndeshur me skuadrën vendase, që është e para në grup dhe vjen me moralin e lartë, atë të fitores së të shtunës 3-0 në Maltë. Po si filloi kjo ndeshje për kombëtaren tonë. Të gjithë janë habitur në fillim, kur kanë parë jo pak ndryshime në formacionin e kombëtares sonë, të deklaruar në konferencën për shtyp edhe nga trajneri Han. Ervin Bulku është në stol, ndërkohë që Kristi Vangjeli gjendet në fushë, duke “përjashtuar“ kështu nga tapeti i blertë Elvin Beqirin. Në sulm, i deklaruar, është Hamdi Salihi, ndërkohë që Berisha gjendet i dyzuar mes krahut të djathtë të sulmit, por edhe detyrave sulmuese, për të mbështeur shkodranin e Riedit në Austri. Lala dhe Klodian Duro përbëjnë qendrën e mesfushës, ndërsa krahët e saj përbëhen nga Skela dhe Gilman Lika, Mbrojtja ka dyshen e qendrës, Cana-Curri, me krahët, Dallku dhe Vangjeli. Loja nis e vakët për tanët, ndërsa nga ana e tyre, hungarezët, që në sekondën e parë, tregojnë se janë të vendosur të marrin maksimumin e tyre. Miqtë kontrollojnë mesfushën, ushtrojnë presing në këtë repart, cka e bën tepër të vështirë punën e Lalës, ndërkohë që Duro dhe Skela janë jashtë formës së tyre më të mirë. Inkursionet e Gilman Likës në të majtë të mesfushës kuqezi sjellin pështjellim në radhët e hungarezëve, por krosimet e tij gjejnë një mbrojtje të pagabueshme të miqve, që janë të pakalueshëm, në luftën në ajër, por edhe në lojën në tokë. Skela nuk është në gjendje të krijojë e të dirigjojë lojën e kombëtares sonë, ndërkohë që Berisha mundohet në krahun e tij të depërtojë, por loja individuale nuk e shoien gjëkundi. Ai mbetet i larguar nga Salihi, që detyrohet të kthehet deri në mesfushë për të marrë topin e për të goditur portën kundërshtare. Mbrojtja, me në krye Canën dhe Currin, por edhe Dallku me Vangjelin, është në ditën e saj më të zezeë. Gabime të të gjithëve, njëra pas tjetrës, që derivojnë në minutën e 39-të të ndeshjes me një dhuratë për sulmuesin kryesor të hungarezëve, Torghelle, i cili nuk fal, i jep fitoren skuadrës së tij. Pas një gabimi në gjysmëfushën tonë nga Vangjeli, i cili mbetet i shtrirë përtokë, topi shkon në zonën tonë, ku Dallku nuk e spastron zonën kuqezi, por e godet sferën aq sa për t’ia bërë tepër të lehtë punën Torghelles. Ky i fundit, i gjendur vetëm me portierin Hidi, gjuan fort dhe shënon. Minutat pasojnë më tej, por kuqezinjtë tanë nuk kanë forcë të reagojnë. Përkundrazi, kontrollohen pa problem nga hungarezët, që vazhdojnë të jenë zotër të mesfushës. Trajneri Ari Han shikon nga stoli, në pjesën e dytë, largon nga fusha Gilman Likën, ndër të dalluarit në këtë ndeshje, së bashku me Lalën, dhe hedh në lojë Elis Bakajn. Lojtari i Dinamos në kampionatin shqiptar është konfuz, nuk arrin të futet në lojën e duhur, kështu që nuk i shpëton as ai ditës së errët të kombëtares. Nga ana e tyre, hungarezët fillojnë të vonojnë lojën, derisa presin fiunishin e 90 minutave si fitimtarë. Kuqezinjtë lënë stadiumin ”Qemal Stafa” kokulur, së bashku me tifozët e shumtë kuqezinj, duke zhgënjyer totaliht, në lojë dhe rezultat. Bashkë me ta, edhe trajneri Ari Han rregjistron një tjetër ndeshje të dobët, duke i detyruar të pranishmit të thonë se kjo kombëtare, bashkë me Hanin, është vërtet në pikën zero. Edhe pse ka arritur të grumbullojë 5 pikë, nuk ka bindur në lojë logjike dhe në një filozofi të qartë loje.



sportishqiptar.com

0 commenti:


Free Blogger Templates by Isnaini Dot Com and Home Improvement. Powered by Blogger