Sapo është kthyer nga stërvitja e paradites, Ari Han është ulur në fillim në hollin e hotelit, më pas ka drekuar bashkë me kolegët e tij. Siç ishte programuar, është paraqitur menjëherë në sallën e konferencave. Nuk ka nguruar t’u përgjigjet me sinqeritet të gjitha pyetjeve të gazetarëve. Ka qenë i drejpërdrejtë në të gjitha çështjet e diskutuara, që nga mosthirrja e Bogdanit, loja e Canës dhe Lalës, deri te forma e Salihit. Han nuk e ndjen presionin e rezultatit, sepse në mendjen është vetëm fitorja, për të rikuperuar pikët e humbura me Maltë.
Forma fizike, alibia për barazimin e Maltës
Para se t’i përgjigjej pyetjeve, trajneri Ari Han i është kthyer edhe një herë ndeshjes me Maltën, duke theksuar se nuk ka qenë faji i lojtarëve, por i formës së dobët fizike, për shkak se në atë periudhë shumë futbollistë vinin pas fazës përgatitore të janarit. “Kjo është ndeshja e radhës për ne ku besoj se kemi diçka për të rikuperuar pas atij barazimi me Maltën, ku gjërat nuk shkuan siç e kisha parashikuar. Sigurisht unë i kam gjetur arsyet pse ka ndodhur kështu. Zhgënjimi në Maltë nuk ka pasur lidhje me lojtarët, por me periudhën kur u zhvillua kjo ndeshje. Malta ishte në kondicion të plotë fizik në mes të sezonit, ndërsa futbollistët e Shqipërisë vinin pas fazës përgatitore të dimrit. Mund të përmend në këtë rast lojtarët tanë që luajnë në Ukrainë. Pjesa e dytë në Maltë ishte e tmerrshme, frikësuese. Në të parën ne duhet të udhëhiqnim, por në fund duhet të ishim të gëzuar që morëm një pikë. Pra, nëse futbollistët nuk kanë luajtur mirë me Maltën, kjo ka ardhur si rrjedhojë e gjendjes jo të mirë fizike, - ka sqaruar Han, i cili sheh ndryshim të madh te gjendja aktuale e futbollistëve kuqezi. ‑ Sot shikoj një skuadër më të freksët, me ambicje dhe egoiste, që më bën të jem shumë optimist. Sigurisht dëshira është të fitojë çdo ndeshje, por kjo nuk mund të jetë e mundur. Duke pasur parasysh humbjen me Hungarinë dhe barazimin me Maltën, ka ardhur momenti t’i kthehemi fitores. Fatkeqësisht, kemi dy futbollistë të dëmtuar, Lilën dhe Beqajn, megjithatë them se me grupin që kemi në dispozivion do të arrijmë një rezultat të mirë.”
Cana‑Lala, dyshja që nuk shkon
Mund të duket shumë e çuditshme, por kur e dëgjon nga Hani dhe me shumë vëmendje kupton se ai ka të drejtë. Lorik Cana dhe Altin Lana janë dy lojtatë që vështirë t’u gjenden zëvendësuesit, të paktën për momentin, mirëpo faktet kanë treguar se kur luajën pranë njëri‑tjetrit nuk janë shumë rezultativë. “Lorik Cana është një futbollist që për mua jep më të mirën në mesin e fushës, por kur aktivizohet bashkë me Lalën në mesfushë, nuk është se kanë zhvilluar lojë të mirë. Për këtë arsye, mendoj se do të ishte më mirë që këta dy futbollistë të mos luajnë pranë njëri‑tjetrit. Cana ka treguar se mund të jetë shumë i vlefshëm në qendër të mbrojtjes. Këtë e kemi parë në ndeshjen me Portugalinë. Pas ndeshjes me Hugnarinë, kam pasur një bisedë me Canën, të cilit i kam shpjeguar që si ai edhe Lala bëjnë të njëjtin rol. Ky ishte mendimi im dhe besoj se është i drejtë, pasi ka dhënë rezultat. Besoj që Cana do të bëjë të njëjtën paraqitje si në Portugali. Gjithashtu mund të them se mund të luajë që nga minuta e parë në krahun e majtë Gilman Lika, i cili është i shpejtë dhe i fuqishëm. Ka qenë nga të vetmit lojtarë që ka dhënë rëndiment të lartë në Maltë.
Zhgënjim për Bogdanin, besimi te Salihi
Barazimi me Maltën ka qenë shumë zhgënjyes për të gjithë shqiptarët, por edhe për trajnerin Ari Han. Një rast i humbur nga Erjon Bogdani i ka mbetur të gjithëve në mendje, por më shumë holandezit, që nuk ka preferuar ta therrasë sulmuesin e Kievos për dy ndeshjet e radhës së kombëtares. “Të gjitha skuadrat e mëdha luajnë në këtë mënyrë, pra me një sulmues. Duron e shikoj më shumë si sulmues se mesfushor. Në duhet të organizohemi mirë që në mbrojtje dhe të dalim në sulm në mënyrën e duhur. Mund të them se jam paska i zhgënjyer nga Erjoni (Bogdani), sepse rastet që ka humbur me Maltën duhet të ishin bërë gola. Kjo është arsyeja pse nuk është thirrur. Për fat të mirë, ai po luan dhe ka shënuar me skuadrën e tij dhe ndoshta mosthirrja në kombëtare do të ndikojë për mirë tek ai. Besoj se do t’i japë energji të reja. Salihi është në formë shumë të mirë, ka bërë gola dhe ka luajtur shumë mirë, sikurse Berisha, që ka shënuar me skuadrën e tij.
Fitorja, gjëja e vetme që më shkon më mendje
Për mua ka shumë rëndësi reagimi i skuadrës. Unë gjithmonë nisem me idenë që do ta fitojmë ndeshjen. Janë dy takime për t’u luajtur dhe unë nuk mund të mendoj për të ardhmen time, por për të marrë më të mirën me Hungarinë dhe Danimarkën. Kemi lënë dy pikë në Maltë dhe në njëfarë mënyre këto pikë duhet t’i rikuperojmë në dy takimet e ardhshme. Të shtunën duhet të jemi maksimalisht të përqendruar për ta fituar ndeshjen. Edhe Hungaria vjen pas shumë vitesh zhgënjim dhe federata e saj pret shumë nga ky takim. Ne kemi avantazhin që luajmë në fushën tonë, para tifozëve tanë, që do të jenë lojtari ynë i 12‑të. Dua të theksoj se e ardhmja ime nuk varet nga kjo ndeshje.?
Sulmuesit e Shqipërisë luajnë të vetëm
Kombëtarja shqiptare ka shënuar pak gola edhe në të kaluarën, ndaj nuk mund të flasim për krizë golash. Për një skuadër me potencialet e Shqipërisë ka mjaft rëndësi organizimi në mbrojtje. Kjo u pa qartë edhe në momentin kur u gjendëm në disavantazh në Hungari. Duhet theksuar se sulmuesit e Shqipërisë nuk luajnë në skuadra të nivelit të lartë. Është edhe një detaj tjetër që duhet përmendur: sulmuesit tanë, luajnë të vetëm në sulm edhe në skuadrat e tyre. Pra, Shqipëria ka sulmues që janë mësuar me lojën e kundërsulmit, çka shikohet edhe në seancat stërvitore që kam zhvilluar. Kjo aftësi e kufizuar e tyre shprehet edhe në lojëne e kombëtares. Megjithatë duhet të punojmë fort për t’u përmirësuar në fazën sulmuese, pasi ndeshja nuk mund të fitohet pa shënuar.
Akuza e Hanit: Ka njerëz që nuk e duan kombëtaren
Trajneri Ari Han ka gjetur rastin për të thënë diçka në lidhje me mosmarrëveshjen e fundit mes FSHF‑së dhe drejtorisë së stadiumit ndërkombëtar “Qemal Stafa”. Madje holandezi është treguar mjaft i ashpër, duke hedhur akuza të rënda ndaj atyre që sipas tij, dëshirojnë dështimin e kombëtares: “Dua të shtoj diçka për stërvitjen që kemi në mbrëmje. Gjithonë në grumbullimin e kombëtares bëhet një plan stërvitor, ku përfshihet edhe një seancë në stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja. Vetëm një ditë më parë jam njoftuar se nuk mund ta zhvillonim këtë seancë. Vetëm një pyetja kisha. Pse ky zotëri kërkon të marrë një përgjegjësi kaq të madhe, për të mos na lejuar të stërvitemi në “Qemal Stafa”? Mendoj se pas këtij njeriu duhet të fshihen të tjerë. Ne duam t’i krijojmë kushtet më të mira kombëtares, që të mund të arrijmë rezultatin e duhur, kështu që, qoftë Shqipëria, qoftë Hungaria, duhet të lejohen të kryejnë një seancë stërvitore aty ku do të luhet ndeshja. Në qoftë se njerëz të caktuar mendojnë ndryshe, atëherë le të shprehen. Si duket, nuk janë të interesuar që kombëtarja të bëjë një parqitje të mirë. Janë njerëz që nuk i duan të mirën kombëtares. Nuk mund ta shpjegoj ndryshe këtë situatë.” Më ashpër se kaq nuk kanë reaguar as drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Menjëherë pas transmetimit në televizion të deklatarës së Hanit, ka ardhur edhe reagimi i drejtorisë së stadiumit, që ndryshe nga herët e tjera, ka pranuar, madje me shumë zell, që kombëtarja ta zhvillojë stërvitjen në “Qemal Stafa”. Rreth orës 20:00, autobuzi me futbollisët kuqezi ka mbarritur pranë stadiumit, ku është zhvilluar pa më të voglin problem seanca e pasdites. Më shumë se i mbështetur në rregullore, qëndrimi i drejtorit Dhales duket se ka qenë një lapsus, që thuhet se ka vënë në lëvizje instancat më të larta të shtetit shqiptar.
Dëmtohet Arjan Beqaj, 3 muaj larg fushave
Mund të thuhet me plot gojën se fati i keq e ka ndjekur portierin e kombëtares, Arjan Beqaj. Në stërvitjen e ditës së enjte, paradite, gjatë një planzhoni, Beqaj ka nxjerrë shpatullën, duke e lënë fushën me dhimbje të mëdha. Stafi mjekësor kuqezi ka bërë konstatimin e momentit rreth dëmtimit të portierit, duke e dërguar atë menjëherë për ekzaminime të hollësishme në Spitalin Ushtarak. Atje u është nënshtruar ekzaminimeve të detajuara, në bazë të të cilave ka rezultuar këputje e ligamentit në shpatullën e dalë gjatë stërvitjes së paradites. Kjo gjë do të thotë 3 muaj pushim absolut të Beqajt, larg fushave të stërvitjes dhe të lojës. Vetë portieri, i traumatizuar, duke iu nënshtruar fatit shumë të keq, sepse sapo kishte lënë pas një dëmtim, është shprehur: “Jam shumë i pezmatuar. Sapo kisha kaluar një dëmtim, që më la disa kohë jashtë fushave të blerta, kur pësoj tjetrin, këtë herë edhe më të rëndë. Nuk di ç’të them, por vërtet ndihem i dërrmuar psikologjikisht. Humba këto dy ndeshje mjaft të rëndësishme me kombëtaren, por po mbyll kështu edhe sezonin tim më të errët sportiv. Mjekët këtu në Tiranë më thanë që kam këputur ligamerntin gjatë daljes së shpatullës, ndaj për 3 muaj duhet të bëj pushim absolut. Kam në plan të shkoj në Beligjikë, për të bërë një kontroll më të specializuar dhe për të filluar fazën e riaftësimit.”
Një dëmtim i rëndë ky për portierin titullar kuqezi, që vjen në momentin më të padëshirueshëm për të. Jo vetëm sepse sapo kishte lënë pas një tjetër dëmtim, por sepse i ka hedhur në erë, sikurse thotë edhe vetë, dy oferta të mira, për të kaluar në një skuadër italiane ose në një skuadër franceze sezonin e ri futbollistik. Pa llogaritur këtu mungesën në kombëtare.
“Vodafone” mbështet kombëtaren, 25 mijë euro për fitoren
Kompania e njohur celulare në Botë, “Vodafone”, e pranishme edhe në Shqipëri, përmes një mbrëmjeje sepciale gala me kombëtaren dhe gazetarët sportivë, të organizuar në Durrës, ka deklaruar se do të jetë për të dytin sezon radhazi në mbështetje të kuqezinjve, si sponsor zyrtar i tyre. Madje, për ndeshjen me Hungarinë, “Vodafone” do të jetë e pranishme edhe në stadium, me një flamur të madh kuqezi, por ka vënë edhe premio prej 25 mijë eurosh për fitoren. Duke patur si synim kryesor ndarjen e emocioneve të fitores dhe të krenarisë me të gjithë popullin shqiptar, në ndeshjet e ardhshme eliminatore për Kupën e Botës 2010, “Vodafone” ka premtuar sponsorizim dhe premio të rregullta, me qëllim mbështetjen e kauzës së përbashkët kuqezi. “I urojmë kombëtares shqiptare të futbollit të arrijë qëllimet e saj, njëkohësisht të promovojë idealet e sportit në mënyrën më të mirë. Ne kemi bindje të thellë se kjo skuadër është ambasadorja më e mirë e Shqipërisë në fushën e sportit jashtë vendit, ndaj jemi këtu për ta mbështetur e për ta inkurajuar të fitojë me Hungarinë, por edhe në ndeshjet pasuese,” – ka nënvizuar në fjalën e tij Charalampos Bromudis, drejtor i përgjithshëm i “Vodafone Albania”sportishqiptar.com
0 commenti:
Posta un commento